PAKETA DIDAKTIKE: “MËSOJ SI NXËNËS, LUAJ SI FËMIJË”


1. Paketa përbëhet nga tre libra pune për fëmijën, të ndarë sipas tri periudhave. Libri i parë është konceptuar për periudhën Shtator-Dhjetor; Libri i dytë është konceptuar për periudhën Janar-Mars; Libri i tretë është konceptuar për periudhën Prill-Qershor. Brenda secilit libër jepen të integruara njohuritë dhe veprimtaritë nga të gjitha lëndët që zhvillohen në klasën përgatitore. Ato ndërthuren në mënyrë të tillë që fëmija të punojë në librin e vet të punës, por edhe të luajë me objekte dhe sende konkrete në veprimtaritë e tjera të planifikuara për ditën nga mësuesi/ja. Librat janë shtypur në letër ekologjike, të certifikuar nga FSC. ! Për shkak të peshës së pakos, të moshës së fëmijës dhe qëllimit që ka viti përgatitor, të tre librat e punës qëndrojnë në klasë dhe plotësohen aty prej tij/saj. Vetëm me dëshirën e fëmijës apo të prindit mundet që libri të merret në shtëpi (për t’u parë e për t’u shfletuar për kënaqësinë e arritjeve të fëmijës). ! Librat e punës nuk janë konceptuar për t’u dhënë si detyrë e pavarur dhe të punohen prej fëmijëve në shtëpi.